Shipping Information: If you win 2 or more items I can combine the SHIPPING. Shipping include tracking number.


Titulli: Skënderbeu i shpërfytyruar
Origjinali: Skënderbeu i shpërfytyruar
Gjinia: Histori
Autori: Kristo Frashëri
Shtëpia botuese: Toena
Viti: 2009
Fq. 200
Pesha: 0.215 kg
ISBN: 978-99943-0-109-6

Mbi librin

Pikënisje e këtij studimi kritik historik u bë trajtesa me titull "Skënderbeu" e historianit zviceran O. J. Schmitt, botuar vetëm në përkthimin shqip. Autori i trajtesës kritike prof. Dr. Kristo Frashëri, një njohës i mirë i historisë së Skënderbeut, nuk u pajtua në asnjë pikë me këndvështrimin negativ të historianit zvicerian.

O. Schmitt-i e ka shpërfytyruar nga shumë pikëpamje portretin historik të Skënderbeut. Ndërsa historiografia shkencore botërore dhe shqiptare e ka vlerësuar heroin shqiptar, si një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shek XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial që korri vazhdimisht fitore ushtarake kundër sulltanëve turq, si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar, si një burrë shteti, i cili me luftën e tij një çerek shekullore konsolidoi identitetin kombëtar të shqiptarëve, si një personalitet i historisë mesjetare i cili në të njëjtën kohë mbrojti edhe qytetërimin e Europës humaniste.

Përkundrazi, historiani zviceran e paraqet Skënderbeun si një kapedan që luftoi për t'u hakmarrë për vrasjen e të atit nga dy sulltanë turq, si një prijës që synoi të ripushtonte zotërimet feudale të prindërve të tij, si një udhëheqës ushtarak që në luftë kundër ushtrive osmane pati disfata pas disfatash, si një personalitet i cili e mbylli jetën e tij si emigrant në zotërimin venedikas të Lezhës, si një prijës që la pas vdekjes së tij vetëm një vend të mbushur me gërmadha, si një njeri të cilin Europa u kujtua ta nderonte vetëm pas vdekjes.

Pasi hedh poshtë tezat e autorit zviceran, historiani shqiptar Kristo Frashëri analizon në mënyrë kritike edhe disa pikëpamje po aq të padrejta të shfaqura nga disa analistë shqiptarë në shtypin tonë të përditshëm. "Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë, edhe pse çalamane, falë Zotit, i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet dhe shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin - në shtyp, në radio, në televizion - vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje edhe identitetin tonë kombëtar.

Si qytetar bashkohem me ato zëra që protestuan kundër fyerjeve, përdhosjeve e shpërfytyrimeve në dëm të figurës së Skënderbeut nga historiani zviceran Oliver Jens Schmitt dhe nga duartrokitësit e tij shqiptarë, të cilët mezi presin të hedhin baltë kundër çdo vlere pozitive të kombit të tyre – që pas shekuj tallazesh, shtypjesh e mjerimesh arriti, më në fund, të gëzojë lirinë e ëndërruar.

Si historian e ndiej për detyrë, meqenëse vetë Skënderbeu nuk ka mundësi të flasë, të parashtroj, me sa kam mundësi, argumentet historike që hedhin poshtë hamendësimet, shpifjet dhe shtrembërimet që ata kanë përdorur për ta shpërfytyruar Heroin tonë Kombëtar."